Inspektime të plota në kopshte

Gjatë muajve janar-dhjetor 2015, ISHA realizoi inspektime të plota në 7 institucione të arsimit parashkollor, përkatësisht në kopshtet: “Nr. 1”, ZA Skrapar,  “Nr. 35”, DAR Tiranë; “Fidanishtja”, DAR Durrës, “Nr.1”, ZA Kurbin; “Persefoni Treni”, ZA Pogradec, “Koplik”, Malësi e Madhe; “1 Qershori”, DAR Berat, me qëllim vlerësimin dhe përmirësimin e cilësinë së shërbimit që ofron arsimi parashkollor në fushat: “Planifikimi i kurrikulës”, “Veprimtaria mësimore edukative”, “Menazhimi kopshtit”, Zhvillimi i burimeve njerëzore” dhe “Kujdesi ndaj fëmijës në kopsht”.

 

Për fushën “Planifikimi i kurrikulës”, rezultoi se:

Në kopshtet e inspektuara, në përgjithësi, stafi pedagogjik planifikon kurrikulën duke u mbështetur në dokumentet zyrtare, si; standardet e përmbajtjes e të arritjes në arsimin parashkollor dhe programet sipas grupmoshave të MAS-it.

Drejtoritë e kopshteve disponojnë planet vjetore të tre grupeve sipas grupmoshave, por jo të grupeve të përziera, në rastet kur kopshti ka të tilla.

Planifikimi vjetor është përshkallëzuar duke u detajuar në planifikimin mujor, javor dhe ditor, por në planet vjetore nuk janë planifikuar linjat, konceptet dhe të gjithë objektivat e programit sipas fushave përkatëse.

Tematikat mujore të grupeve u përgjigjen fushave të veprimtarisë edukative, njësive tematike ose miniprojekteve. Për secilën temë mujore janë përcaktuar objektivat kurrikularë, nëpërmjet të cilëve fëmijët përfitojnë njohuritë, aftësitë dhe shprehitë e synuara nga programet dhe standardet e arritjes për grup-moshën përkatëse.

Në hartimin e planit vjetor, mësueset e kopshtit  bashkëpunojnë mes tyre, por në disa raste nuk është evidentuar edhe bashkëpunimi i tyre me psikologen, punonjësen sociale, mjeken e kopshtit, si dhe me prindërit.

Planifikimi ditor i mësueseve është sistematik, por ky planifikim në përgjithësi nuk përputhet me regjimin ditor të standardeve të arritjes së arsimit parashkollor, pasi në të mungojnë veprimtaria në natyrë, vetëvlerësimi nga ana e fëmijëve, vëzhgimi i fëmijëve, vlerësimi nga ana e mësuesit apo detyra të diferencuara për fëmijët me probleme.

Në zbatimin e kurrikulës, jo i gjithë stafi pedagogjik  parashikon dhe përdor të gjitha qendrat e aktivitetit, materiale dhe mjete didaktike të sugjeruara në dokumentet zyrtare, për të zhvilluar një veprimtari cilësore mësimore-edukative. Metodat e përdorura nga mësueset për mësimdhënien janë të larmishme dhe përgjithësisht mbajnë parasysh gjendjen e fëmijëve, si dhe veçoritë psiko-individuale të tyre. Mjediset fizike të grupeve janë përgjithësisht në funksion të zhvillimit të veprimtarive të përzgjedhura.

 

Veprimtaritë mësimore-edukative të zhvilluara në grupe/klasa orientohen sipas standardeve dhe programeve të arsimit parashkollor.

Kopshtet disponojnë një regjim ditor, i cili ka parashikuar ritmet e organizimit ditor me tërësinë e momenteve të realizimit të veprimtarisë mësimore-edukative, të çlodhjes, të argëtimit, të rigrupimit të fëmijëve, të përmbushjes së nevojave individuale të fëmijëve, të momenteve të bashkëveprimit midis fëmijëve të moshave të ndryshme etj., por mungon veprimtaria në natyrë në përputhje me standardet e arritjeve sipas grupmoshave.

Mësueset e kopshteve kanëkrijuar klimë e zakone pozitive, duke bërë një pritje të ngrohtë dhe miqësore për të gjithë fëmijët. Ato zbatojnë veprimtari të organizuara për takimin e mëngjesit, duke biseduar se çfarë do të bëjnë fëmijët gjatë ditës, por jo duke plotësuar interesat e dëshirat e fëmijëve. Përgjithësisht mësueset organizojnë veprimtari për plotësimin e kalendarit ditor dhe të motit vetëm me gojë.

Veprimtaritë për zhvillimin e të menduarit zbatohen duke përdorur pyetje të hapura dhe të mbyllura me të gjithë fëmijët. Mësueset e vëzhguara drejtojnë dhe lehtësojnë bashkëbisedimin midis fëmijëve, por nuk sigurojnë pjesëmarrjen e të gjithë fëmijëve në këto diskutime.

Mjedisi fizik i brendshëm, i modeluar i grupeve është në funksion të zhvillimit të veprimtarive të përzgjedhura nga mësueset, bëjnë përjashtim mjediset fizike të grupeve të kopshtit “Nr. 1” Laç, “Persefoni Treni” Pogradec dhe kopshti ‘Koplik Qendër” të cilat nuk dispononin qendra të mirëfillta. Qendrat që hapen zakonisht janë ajo e gjuhës, matematikës dhe e artit, megjithëse tema të ndryshme kërkojnë hapjen e qendrave të reja (e kukullës, dramës, muzikës, kuzhinës, mesazheve, pasqyrave etj.) edhe për fusha të tjera të zhvillimit kurrikular të fëmijës, të cilat hapen vetëm në grupet e kopshtit “Fidanishtja Durrës dhe në grupet e kopshtit ‘Nr. 1” Çorovodë.

Në të gjitha kopshtet e inspektuara mungojnë në natyrë terreni sportiv, lodrat lëvizorë dhe qendrat e aktiviteteve sipas kurrikulës së parashkollorit duke mos realizuar kështu objektivat e disa fushave të zhvillimit të fëmijës.

Përgjithësisht mësueset lidhin në mënyrë të natyrshme bazën didaktike me veprimtarinë mësimore-edukative për pjesëmarrje aktive të fëmijëve. Vlen të përmendet përdorimi i kompjuterit vetëm në grupin e tretë të kopshtit “Nr. 1’ në Çorovodë. Nëpër grupe gjenden biblioteka të fëmijëve (të varfra në tituj), mjete didaktike  materiale të riciklueshme, kukulla pelushi, lodra të konsumuara dhe të vjetra, regjimi ditor, këndi i prindit, plani edukativ, informacion për prindërit, ditëlindjet e fëmijëve, fjalët magjike, produkte të miniprojekteve të ndryshme etj.

Sipas mësueseve grupet janë të varfra me lodrat manipulative e didaktike. Në grupe mungojnë të drejtat e fëmijëve, rregullat e punës në grup, rregullat e higjienës etj. Punimet e fëmijëve nuk ekspozohen në të gjitha grupet. Të gjitha mësueset e kopshtit “Fidanishtja” Durrës kanë të ekspozuar librin e grupit (produktin e muajit) të kompozuar së bashku me fëmijët.

Mësueset organizojnë veprimtarinë mësimore edukative ditore duke përfshirë përgjithësisht të gjithë fëmijët e grupit, në grupe të vogla dhe jo ndërveprimin individual, megjithëse të identifikuar nga ana e tyre edhe fëmijët me probleme.

 

Për fushënMenaxhimi i kopshtit”, rezultoi se:

Kopshtet kanë hartuar plane vjetore për vitin shkollor përkatës. Vetëm kopshtet “Fidanishtja” Durrës dhe “1 Qershori”, Berat kanë hartuar planin vjetor në përputhje me formatin e parashikuar në nenin 67, Dispozitave Normative 2013, “Për procedurën e hartimit të planit”.

Kopshtet disponojnë “Rregulloret e brendshme”, ku në përgjithësi janë në përputhje me nenin 38, të Dispozitave Normative 2013, dhe Udhëzimit Nr. 30 datë 02.08.2013 të MAS-it.

Drejtueset e kopshteve të inspektuara disponojnë planin për vëzhgimin e procesit mësimor dhe edukativ në përputhje me nenin 58 të Dispozitave Normative 2013. Sasia e orëve të vëzhgimeve, të planifikuara nga të gjitha drejtueset e kopshteve të inspektuara përputhen me udhëzimet e MAS-it.

Përgjithësisht drejtueset e kopshteve kanë një dokumentacion të rregullt të regjistrimit të fëmijëve në kopsht në përputhje me nenet 5, 6 të Dispozitave Normative 2013.

Numri i fëmijëve të regjistruar përputhet me numrin e fëmijëve në grupe, por fëmijët në grupet e përziera janë në mosha të ndryshme dhe në mospërputhje me pikën 1, kreu V të Udhëzimit Nr. 21 të datës 23.07.2010 “Për normat e punës mësimore-edukative dhe numrin e nxënësve për klasë në institucionet e arsimit parauniversitar”.

Kopshtet e inspektuara disponojnë hartën e gjendjes sociale të fëmijëve.

Përgjithësisht regjistrat janë plotësuar në përputhje me rregulloren përkatëse.

Personeli mësimor dhe ndihmës është i pajisur me libreza shëndetësore brenda afateve të lejuara në të gjitha kopshtet e inspektuara.

Drejtueset kanë të dokumentuar komunikimin me pushtetin lokal për probleme të mbarëvajtjes së ndërtesës dhe ushqimit, që kanë lidhje me kompetencat e pushtetit lokal në kopshte.

 

Drejtueset e kopshteve të inspektuara disponojnë plan për zhvillimin e brendshëm profesional të mësueseve.Vetëm drejtueset e kopshtit “Nr. 35” në Tiranë dhe e kopshtit “Fidanishtja” në Durrës kanë bërë identifikimin e nevojave reale të stafit për trajnime, bazuar edhe në analizën e detajuar sipas grupeve dhe kualifikimeve të personelit të kopshtit në përputhje me nenin 58, Dispozitat Normative, 2013 dhe gjithashtu kanë zbatuar me korrektësi këtë plan zhvillimi të dokumentuar.

Vetëm kopshti “Nr. 35”, Tiranë menaxhon me efektivitet kontributin vullnetar të prindërve në përputhje me udhëzimin nr. 29, të MAS-it, datë 25.09.2007 “Për grumbullimin, ruajtjen dhe përdorimin e të ardhurave nga dhurimet e prindërit e nxënësve të shkollave të arsimit parauniversitar”.

  

Për fushën “Kujdesi ndaj fëmijës në kopsht”, rezultoi se:

Në kopshte ofrohet shërbimi i psikologut, por jo gjithmonë shërbimi mjekësor.Psikologet kanë hartuar planet vjetore për shërbimin psiko-social, të cilët nuk janë hartuar mbi bazën e nevojave reale të fëmijëve, mësueseve dhe prindërve të kopshtit.

Psikologet shpesh nuk kanë një mjedis të përshtatshëm pune të pajisur me mjetet e nevojshme për të ushtruar funksionin e tyre.

Planet edukative individuale për fëmijët me aftësi të kufizuar përgjithësisht janë hartuar nga psikologia e jo mësueset në bashkëpunim me prindërit dhe drejtoren e kopshtit.

Psikologet përgjithësisht kanë zhvilluar trajnime me mësueset dhe prindërit, por rrallë herë ato trajtojnë tema mbi zhvillimet moshore tipike të fëmijëve dhe problemet që ata hasin gjatë të mësuarit dhe të nxënit.

Psikologet e kopshteve shpesh disponojnë dosje individuale për çdo fëmijë që përfiton shërbimin psiko-social, por në disa raste nuk kanë marrë miratimin me shkrim nga prindërit për fëmijët që janë në këshillim psikologjik.

Mjediset e brendshme të kopshteve janë përgjithësisht tërheqëse, miqësore, të ngrohta dhe mikpritëse, por ka raste kur kopshtet janë të amortizuara dhe me lagështirë. Të gjitha mjediset e jashtme të kopshteve janë të rrethuar dhe të sigurt për fëmijët, por ato nuk janë plotësisht në funksion të zhvillimit të veprimtarive mësimore edukative të fëmijëve.

ISHA

Kryeinspektori

Kryeinspektor i Inspektoratit Shtetëror të Arsimit,  Z. Bashkim MUÇA.

        CV

Na kontaktoni

Ju mund të kontaktoni me Inspektoratin Shtetëror të Arsimit nëpërmjet:

Phone (+355) 044 504 720
email This email address is being protected from spambots. You need JavaScript enabled to view it.
web www.isha.gov.al